10 shtator 2025
Asistent Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Ambasador Boris Ruge, zhvilloi një vizitë në Porto Romano, ku u prit nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari. Gjatë inspektimit në Porto Romano, një vend kyç për infrastrukturën dhe operacionet strategjike të vendit, u theksua rëndësia e investimeve madhore që po e shndërrojnë këtë port në infrastrukturën më të madhe tregtare të Shqipërisë.
Të pranishmit vunë theksin te rëndësia që ka Porto Romano për të ardhmen e zhvillimit portual në vend. Projektet që po zbatohen do të garantojnë një port modern, të aftë për të përballuar flukse të mëdha tregtare dhe për të mbështetur sigurinë dhe ekonominë kombëtare, duke e kthyer zonën në një pol strategjik për Shqipërinë dhe rajonin.
Ky inspektim konfirmoi edhe njëherë rolin e Shqipërisë si vend strategjik në Adriatik dhe në Ballkan, duke e pozicionuar atë si një partner të besueshëm brenda Aleancës dhe duke hapur rrugën për konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe infrastrukturës portuale.






