Punonjësit e Autoritetit Portual Durrësit u angazhuan sot pasdite në pastrimin vullnetar të territorit pranë godinave të drejtorisë ekzekutive dhe të drejtorive të mjedisit dhe FSPD, në sheshet e Terminalit perëndimor dhe në rrugën deri në afërsi të Terminalit të udhëtarëve.
Dy ditë më parë nën drejtorimin e prefektit të qarkut, Roland Nasto në drejtorinë e APD u zhvillua një takim me pjesmarrjen e drejtuesve të Policisë së Kufirit dhe Migracionit, të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, të disa Terminaleve si dhe të Agjencive të Lundrimit.
Të pranishmit diskutuan dhe mbi bashkëpunimin mes palëve për krijimin e një mjedisi të pastër në të gjitha hapësirat e portit më të madh të vendit.
Në kushtet e bllokimit të proçesit të tenderimeve në shkallë vendi, edhe në APD mbeti i bllokuar përkohësisht tenderi i përzgjedhjes së firmës së pastrimit. Me mbështetjen e disa prej firmave, javët e fundit është pastruar një pjesë hapësirës portuale, ndërsa Drejtoria Ekzekutive ka marrë masa për zgjidhjen sa më shpejt të fazës së emergjencës, si dhe krijimin e kushteve dinjitoze në prag të Festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit disa ditë më parë paralajmëroi një aksion 6-mujor pastrimi që do të nisë sot dhe do të angazhojë 150 mijë vullnetarë në të gjithë vendin