Restropektivë, Porti i Durrësit në lenten e kinematografisë shqiptare/ 04 gusht 2020

Histori të pafundme të skalitura në shirita filmikë për të na kujtuar se kinematografia shqiptare është e destinuar të rrojë përjetë në retrospektivën e trashëgimisë kulturore.

Copëza kujtimesh e sekuencash të paharrueshme filmike të cilat vazhdojnë të ruhen me fanatizëm të gdhendura në memorien kolektive të shqiptarëve nuk mund të mos përfshinin madhështinë dhe karakterin unik të kalatave portuale të Portit të Durrësit duke i renditur ato mes shesh xhirimeve më të spikatura dhe historike të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Produksione të një kalibri të jashtëzakonshëm si “Horizonte të hapura”, ”Rikonstruksioni”, ”Duel i heshtur”, “Shpresa, “Një ndodhi në port”, ”Dora e ngrohtë”, ”Përdhunuesit”, ”Lindje Perëndim Lindje” dhe shumë të tjerë, kolosë të filmit artistik, të cilët kanë shenjuar arkivën e filmit kombëtar shqiptar me sekuencat e paharrueshme të kalatave portuale ndër vite.

Punë memorie të mbushura me momente të mrekullueshme të shkëputura nga aktivitetet e përditshme portuale që vazhdojnë të emocionojnë njëlloj edhe pas disa dekadash teksa i shikon, skena të papërsëritshme që nuk do të kishin asnjë kuptim jashtë këtij oazi të brigjeve të Adriatikut.

Pllakate mbresëlënëse nga periudha e hershme e portit më të madh në vend plot elegancë dhe referenca të kohës, forma të guximshme e befasuese nga mjeshtër dhe artistë të vërtetë të zhanrit, mes të cilëve Robert Ndrenika, Kadri Roshi, Mirush Kabashi, Margarita Xhepa, Dhimiter Orgocka, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pandi Raidhi, Matilda Makoçi, Nikolin Xhoja, Rikard Larja, Ndrek Luca, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Drita Pelingu, Reshat Arbana, Bujar Lako, Roza Anagnosti,Yllka Mujo etj…

Për ata që janë rritur me krijimtarinë e kineastëve dhe kastit të shkëlqyer të aktorëve shqiptarë, me traditën e artit dhe kulturës kombëtare, këto kryevepra të padiskutueshme të kinemasë përfaqësojnë një trashëgimi artistike dhe emocionale, trashëgimi e cila do të mbetet përgjithmonë një aset i çmuar edhe për historikun dhe arkivën e Portit të Durrësit.

Me kolonën zanore të filmit “Dora e ngrohtë”, ju ftojmë të ndiqni materialin e plotë në linkun bashkëlidhur:

https://youtu.be/RslGEtdBTD8