19 qershor 2025
Në kuadër të implementimit të Konventës për Armët Kimike, si një ndër vendët aderuese prej 11 majit të vitit 1993, u mbajt në vendin tonë gjatë datave 17-19 qershor “Seminari Rajonal mbi Konventën për Armët Kimike dhe Menaxhimin e Sigurisë dhe Mbrojtjes për Shtetet Anëtare të OPCW në Rajonin e Evropës Lindore.” Ky seminar vjen si inciativë e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes në bashkëpunim me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), e cila bëri bashkë profesionistë dhe zyrtarë me ekspertizë në fushën e Menaxhimit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kimike prej një sërë vendesh anëtare të rajonit të Evropës Juglindore.
Porti i Durrësit ka qenë mikpritësi i këtij seminari gjatë datës 18 qershor, organizuar nën kujdesin e veçantë të CEMA, si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në ndalimin e përdorimit të armëve kimike dhe përmirësimin e kapaciteteve të menaxhimit të sigurisë dhe mbrojtjes në rajon duke konsideruar edhe parandalimin e depërtimit të këtyre armëve nëpërmjet kryeqendrës portuale të vendit.
Autoriteti Portual Durrës u përfaqësua në këtë aktivitet nga Drejtori i Forcës së Sigurisë Portuale, z. Alfred Velaj si dhe Oficeri i Sigurisë së APD, z. Dritan Prifti, të cilët referuan mbi planet e masave në fuqi sa i përket parandalimit dhe mbrojtjes nga armët kimike si dhe parametrat e sigurisë, të cilat garantojnë standardet më të larta në pikën kufitare detare kryesore të vendit tonë, duke nënvizuar edhe ekspozimin më të madh të vendit tonë kundrejt trafikimit të armëve të shkatërrimit në masë, materialeve të para për prodhimin e tyre, si dhe sistemeve të shpërndarjes si pasojë e situatës gjeostrategjike të Shqipërisë që e vendos atë në udhëkryqin e lidhjeve me Evropën në tërësi dhe kontinentet e tjera.
Në fokus të diskutimeve u trajtuan cështje thelbësore lidhur konsolidimin e kontrolleve kufitare, rritjen e kapacitetet njerëzore dhe logjistike si dhe përmirësimin e legjislacionit në funksion të rritjes së bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Diskutime mbi përgatitjen ndërkombëtare dhe rajonale për situata emergjente të shkaktuara si pasojë e rreziqeve nga armët kimike si dhe projektet e reja për forcimin e kapaciteteve të reagimit ndaj këtyre rreziqeve ishin gjithashtu në qendër të këtij semi
Në zbatim të Konventës për Armët Kimike u trajtua gjithashtu edhe drafti mbi strategjinë kombëtare, e cila parashikon rritjen e parametrave të sigurisë kombëtare me qëllim parandalimin e trafikimit, prodhimin, blerjen, apo zotërimin e armëve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.
Strategjia synon që të rrisë kapacitetet për kontrollin e kufijve dhe ndalimin e trafikimit të këtyre armëve, apo materialeve që përdoren për ndërtimin e tyre, ndërsa do të mbikëqyren edhe procedurat e transportit të mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, si dhe mallrave ushtarake.
Ky seminar kontribuon në forcimin e sigurisë rajonale përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit te kapaciteteve të menaxhimit të rreziqeve nga armët e shkatërrimit në masë nëpërmjet shtimit të investimeve të përbashkëta në inteligjencë artificiale për të përmirësuar zbulimin e kërcënimeve si dhe mbrojtjen e aseteve fizike, qendrave të të dhënave dhe infrastrukturave kritike në vendin tonë dhe gjithë rajonin e Europës Juglindore.






