17.9.2025
Në takimin e 15-të të Komitetit Teknik për Transportin Ujor dhe Multimodalitetin, organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit 🇪🇺 në Konstanca, Rumani, Shqipëria prezantoi progresin dhe hapat konkretë në drejtim të modernizimit të sektorit detar.
Në takim u theksua nevoja për investime të reja në digjitalizimin e operacioneve portuale, ku u veçuan:
• Shtimi i funksionaliteteve dhe veçorive të reja për Sistemin Operativ të Terminalit të Ngarkesave të Përgjithshme (TOS) dhe Sistemin e Komunitetit të Portit në Portin e Durrësit (PCS).
• Integrimi i këtyre sistemeve me platformat ekzistuese të menaxhimit financiar dhe të biznesit inteligjent (BI).
Gjithashtu, u prezantuan investimet e fundit të Autoritetit Portual Durrës për përmirësimin e sigurisë kibernetike, të cilat përfshijnë:
• Implementimin e një sistemi “Firewall” që kontrollon dhe filtron të gjitha kërkesat e përdoruesve të APD-së për akses në internet.
• Ngritjen dhe vënien në funksion të Sistemit për Menaxhimin e Informacionit të Sigurisë dhe Ngjarjeve (SIEM).
• Përditësimin e infrastrukturës “hardware” dhe “software” të dhomës së pajisjeve server, rrjetit dhe licencave përkatëse.
Këto zhvillime konfirmojnë përkushtimin e Shqipërisë dhe të Autoritetit Portual Durrës për ta bërë sektorin detar më të digjitalizuar, më të sigurt dhe më konkurrues, duke e përafruar atë me standardet më të larta të Bashkimit Evropian.


