Sot në kalata 7 anije, përpunohen 35.500 ton mallra

Sot paradite në kalatat e portit të Durrësit po përpunohen shtatë anije, me rreth 35.500 ton mallra të ndryshme. Vetëm njëra prej tyre, “Sirios Cement 1” po ngarkohet me 12.500 ton çimento për eksport, ndërsa nga gjashtë të tjerat po shkarkohen mallra importi si grurë, kripë, skrap dhe sojë.

Nga Qendra e Informacionit mësohet se anijet me mallra importi që kanë sjellë sasi nga 1400 ton deri në 5499 ton janë ankoruar në kalatat 1, 2, 4 dhe 11, ndërsa anija që po ngarkohet për eksport është ankoruar në kalatën 10.

Bëhet e ditur gjithashtu se në 48 orët e ardhshme priten edhe 4 anije të tjera. Dy prej tyre janë të ngarkuara 8.700 ton mallra si grurë dhe hekur importi, ndërsa dy të tjera do të ngarkohen në Durrës me 2650 ton çimento për eksport dhe me 362 kontejnerë.