Strategjia e transportit në Shqipëri, takim i portualëve dhe hekurudhorëve me ekspertët e BE

Drejtues të Autoritetit Portual të Durrësit dhe të Hekurudhës shqiptare, si dhe operatorë të transportit në qytetin bregdetar kanë marrë pjesë në Takimin e organizuar nga Skuadra e projektit që po punon për hartimin e strategjisë së transportit në Shqipëri.

Ky takim, që u zhvillua në mjediset e APD-së, iu kushtua veçanërisht Terminaleve hekurudhore në porte. Drejtuesi i Skuadrës, Jose Papi, prezantoi shkurtimisht projektin “Strategjia e sektorit të transportit në Shqipëri”. Ai paraqiti edhe të rejat e Samitit të 6 vendeve të Ballkanit perëndimor, që u mbajt në Beograd më 10 nëntor të këtij viti.

Më pas eksperti kryesor Klaus Jurgen Uhl, u ndal në rezultatet e Konferencës së Vienës dhe legjislacionin e e BE në lidhje me rolin e hekurudhave në fushën e objekteve të shërbimit portual. Ai vlerësoi projekt-idenë e paraqitur nga APD mbi shtrirjen e linjës hekurudhore në dy Terminale të tjerë, projekt i prezantuar edhe në Takimin që u mbajt në Zagreb më 15-17 tetor të këtij viti.

Në Takimin e sotëm operatorët e transportit dhe autoritetet pjesmarrëse folën mbi qendrat e mundshme logjistike të lidhjes portuale me pjesët në brendësi të territorit. Takimet e këtij loji i shërbejnë përfshirjes në Strategjinë e sektorit të transportit dhe në Strategjinë e Ballkanit perëndimor.