Terminali i udhëtarëve, riaktivizohet linja Durrës – Brindizi e kthim -Pas Barit, Ankonës dhe Triestes, lundrim i trageteve edhe drejt Brindizit- 01.07.2013

Në portin e Durrësit që prej tre ditësh ka filluar lundrimi i një trageti në linjën Brindizi – Durrës e kthim, i cili pas 26 korrikut do të jetë në shërbim të udhëtarëve çdo mbrëmje. Terminali i trageteve në portin më të madh të vendit tonë i ka të gjitha kapacitetet për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve që mund të mbërrijnë njëkohësisht nga porte të ndryshme të Italisë.

Nga të dhënat e kompanisë së lundrimit “Red star ferries”, trageti që ka një kapacitet prej 800 udhëtarësh dhe 145 automjetesh do të lundrojë pasdite dhe gjatë natës. Aktualisht lundrimi ofrohet tre herë në javë, me nisje nga portet respektive.

Ky itinerar mungonte prej shumë vitesh dhe sipas specialistëve do të lehtësojë lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave me tragete nga vendi ynë në Italinë fqinje dhe anasjelltas.

Nga terminali i udhëtarëve në portin e Durrësit, çdo mbrëmje lundrojnë drejt portit të Barit 2-4 tragete, në varësi të stinës dhe të kërkesë – ofertës, dhe po i njejti numër mjetesh lundruese udhëton çdo natë në drejtim të kundërt. Tre herë në javë ka lundrime edhe me tragetet e linjës Durrës – Ankona e kthim, ndërsa një kompani tjetër ka vënë në dispozicion tragetin e saj për itinerarin Durrës – Trieste  e kthim, kryesisht për automjetet, kamjonë dhe trajlerë të linjave rrugore nga vendet e Evropës qendrore dhe veriore.

Itinerari detar Durrës – Trieste përshkohet për 24 orë, ai drejt Ankonës për 18 orë, ndërsa lundrimet nga Durrësi në Bari rreth 8 orë. Sipas të dhënave të kompanisë “Red star ferries”, distanca nga Durrësi në Brindizi është më e afërt dhe lundrimi zgjat rreth 5 orë.

Aktualisht në linjat detare të trageteve me Italinë nga porti i Durrësit lundrojnë 14 tragete, me kapacitete deri në 2100 udhëtarë.