Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Pirro Vengu, zhvilloi ditën e sotme një takim me Ambasadorin gjerman në vendin tonë, z. Peter Zingraf. Pas një pasqyrimi mbi performancën financiare dhe kapacitetet që ofron Porti i Durrësit, kreu i APD-së, theksoi rëndësinë e investimeve në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës portuale dhe punën e nisur për përmirësimin e standarteve mjedisore në të gjitha hapësirat e portit.
Z. Vengu e njohu ambasadorin me hapat që ka ndërmarrë Autoriteti Portual Durrës për të përftuar ekspertizën e disa prej agjencive kryesore të shteteve të Bashkimit Evropian (ku spikasin Gjermania dhe Franca), me fokus ligjshmërinë, menaxhimin e integruar të kufirit dhe koordinimin më efikas të agjencive ligjzbatuese në hapësirat portuale.
Amabasadori Zingraf, vlerësoi klimën pozitive të ofruar ndaj biznesit gjerman dhe u shpreh i gatshëm për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit me Portin e Durrësit, si një ndër aktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe me potencial të madh për mbarë rajonin.
Delegacioni gjerman në mbyllje të takimit në ambientet e APD-së, u ndal në Terminalin Perëndimor, ku u njoh nga afër me kapacitetet përpunuese të portit. Në këtë vizitë, Ambasdori gjerman shoqërohej nga zëvendës Ambasadori dhe dy drejtuesit e kompanive konçensionare gjermane që operojnë në Portin e Durrësit.