Thellimi i portit të Durrësit do të përfundojë brenda vitit 2019 -Kompania shqiptare “Vega” do të realizojë investimin prej 8.6 milion euro-

Thellimi i basenit dhe kanalit hyrës të portit të Durrësit do të nisë brenda një muaji. Tenderi për vënien në zbatim të projektit ka përfunduar.

Kompania shqiptare “Vega” është shpallur fituese dhe ka nënshkruar kontratën me Autoritetin Portual Durrës.

Projekti që do të realizohet brenda vitit 2019, do të përmirsojë ndjeshëm kapacitete përpunuese në portin më të madh të vendit tonë, duke e kthyer atë në një port konkurues me portet e rajonit.

Thellimi i basenit dhe kanalit hyrës mundësohet pas 14 vjetësh dhe financohet nga vetë Autoriteti Portual, me një shifër prej 8.6 milion euro pa tvsh. Ky është investimi më i madh, që ndërmerr APD me buxhetin e tij.

Thellësia e parashikuar në përfundim të projektit arrin në 10.4 metra, nga thellësia aktuale prej 7.5 metra.

Thellimi do të mundësojë që në port të hyjnë dhe të përpunohen anije që mbajnë deri në 1.000 njësi kontejnerike TEU, ndërsa aktualisht ato sjellin 500-600 gjithsej.

Në kalata do të mund të ankorohen gjithashtu edhe anije me kapacitet deri në 20.000 ton, gjatësi deri në 174 metra dhe gjërësi deri në 26 metra.