Tragetet: 880 mijë udhëtarë me 259 mijë automjete në vitin 2017

Afro 880 mijë udhëtarë me afro 259 mijë autovetura, kamjonë dhe trajlerë gjithsej kanë preferuar të lundrojnë me tragete nga porti i Durrësit drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë vitit 2017.

Sipas të dhënave për vitin që shkoi krahasuar me vitin 2016 këto janë shifra përkatësisht 5 dhe 7-10 përqind më të larta.

Gjithashtu këto janë shifrat më të larta të transportit të udhëtarëve dhe automjeteve me tragete për periudhën 7-vjeçare 2011-2017 – bënë të ditur burime nga Sektori i Statistikave në APD.

Sipas të njejtave burime, tragetet në vitin 2017 kanë kryer 24 lundrime më pak se sa në vitin 2016, por të dhënat e transportit të udhëtarëve, autoveturave, kamjonëve dhe mallrave janë të gjitha më të larta se sa një vit më parë.

Gjatë vitit 2017 kanë udhëtuar me tragete afro 228 mijë shtetas të huaj, ose 16 përqind më shumë se sa në vitin paraardhës.