Tragetet e fundvitit, rikthehet në linjë “Rhapsody”

Dy tragete me mbi 1150 udhëtarë dhe 320 autovetura kanë mbërritur sot paradite në Durrës nga porti i Barit (Itali). Pas një mungese disamujore sot u rikthye në linjën Durrës

– Bari e kthim edhe trageti i kapaciteteve të mëdha “Rhapsody”.

Nga të dhënat e para operative, paradite në portin e Durrësit janë ankoruar tragetet “Rigel 1” dhe “Rhapsody”, të cilët u nisën nga Bari natën e kaluar me 1150 udhëtarë dhe 320 autovetura gjithsej në bord. Në tragete nuk kanë munguar autobuzët që kryejnë linjat automobilistike nga qytetet e mëdha italiane dhe më pas duke shfrytëzuar tragetet drejt Durrësit.

Tragetet kanë mbërritur në përgjithësi sipas orareve të parashikuara, favorizuar edhe nga moti i mirë dhe deti i qetë. Mbi 25 sportele të kalimit kufitar kanë qenë në dispozicion të udhëtarëve. Këto ditë ka patur një rritje të numrit të udhëtarëve, kryesisht bashkëatdhetarë me punë dhe banim në qytete të ndryshme të Europës, të cilët rikthehen për të festuar ndërrimin e viteve pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë apo Maqedoni. Nga statistikat e Autoritetit Portual, mësohet se gjatë periudhës 11-mujore të këtij viti, tragetet janë shfrytëzuar nga 776.135 udhëtarë gjithsej, ose 69.242 më shumë se sa periudha pararendëse e vitit 2015. Gjithashtu tragetet kanë transportuar 159.041 autovetura, 15 përqind më shumë se sa e njejta periudhë e vitit 2015.