Gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, 625.348 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, ose 12 përqind më shumë se e njejta periudhë e vitit të kaluar kanë shfrytëzuar tragetet e linjave nga Durrësi për të udhëtuar drejt/nga porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali). Tragetet kanë kryer gjatë 8 muajve 717 lundrime gjithsej, ose 30 lundrime më shumë se gjatë periudhës janar-gusht 2015. Po ashtu mjetet e lundrimit të udhëtarëve kanë transportuar afro 500 mijë ton mallra, rreth 1 përqind më shume se në 8 muajt e vitit të kaluar.
Burime nga Sektori i Statistikave në APD, bëjnë me dije se numri i udhëtarëve shqiptarë krahasuar me vitin e kaluar është rritur me 10 përqind. Gjatë këtij viti me tragetet e linjave kanë udhëtuar 386.102 shqiptarë, ndërsa numri i udhëtarëve të huaj ka arritur në 150.096, ose 21 përqind më shumë se në 8 muajt e parë të vitit 2015.
Edhe numri i autovetuurave që u transportuan nga tragetet në 8 muaj është rritur me 17 përqind, duke arritur në 129.920 copë gjithsej. Numri i kamjonëve është rritur me 5 përqind, duke arritur në afro 40 mijë gjithsej.