Tragetet, masa të përbashkëta për fluksin veror të automjeteve dhe udhëtarëve

Përfaqësues të institucioneve që operojnë në portin e Durrësit si dhe nga agjencitë e lundrimit, me nismën e drejtuesve të APD, zhvilluan sot paradite një Takim për zbatimin e masave paraprake në periudhën e fluksit të udhëtarëve dhe automjeteve me tragete.

Të pranishmit u ndalën veçanërisht në bashkëpunimin mes Autoritetit Portual, kompanisë Albanian Ferry Terminal Operator (AFTO), Policisë rajonale të kufirit dhe migracionit PKM, Doganës, Kapitenerisë dhe agjencive të lundrimit për përballimin e nisjeve masive nga Durrësi drejt porteve të Italisë, që pritet të nisë në mesin e muajit gusht.

Përvoja pozitive e krijuar vitin e kaluar do të shërbejë për shmangien e nisjeve me vonesë të trageteve, u tha në Takim, ndërsa u diskutuan masat konkrete për sistemimin paraprak të udhëtarëve, automjeteve dhe kamjonëve në sheshe tranzit para se të nisë procesi i imbarkimit në tragete.

Në kushte normale numri i sporteleve të policisë së kufirit është 18-thanë përfaqësuesit e drejtorisë rajonale të PKM, duke theksuar se janë marrë masa për të përballuar çdo numër në rritje të udhëtarëve.

Në Takim u trajtuan edhe [ështjet teknike të trageteve që mbërrijnë për herë të parë në port; korsitë e përshpejtimit të automjeteve që i drejtohen trageteve të ndryshëm; ankorimin e trageteve sipas kohës së mbërritjes në radën portuale, ankorimin e emergjencave në kalatat 7-8, etj.

Dy nëndrejtorët e përgjithshëm ekzekutivë, Artjan Qirici dhe Bujar Dhima, i siguruan të pranishmit për mbështetjen e plotë të APD në monitorimin e kordinimin e këtij proçesi të rëndësishëm që përsëritet edhe në periudhën e festave të ndërrimit të viteve.