Tragetet: Në 11 muaj, më shumë udhëtarë se sa gjatë gjithë vitit 2015

Tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti kanë transportuar më shumë udhëtarë, se sa ato që zgjodhën tragetet në të gjithë vitin 2015. Tragetet e linjave detare nga Durrësi drejt Barit, Brindizit, Ankonës dhe Triestes (Itali) kanë transportuar gjithashtu një sasi të përgjithshme prej 699 mijë ton mallra, ose 16.300 ton më shumë se sa në 11-mujorin e vitit 2015.

Nga statistikat operative të Autoritetit Portual, mësohet se gjatë periudhës 11-mujore të këtij viti, tragetet janë shfrytëzuar nga 776.135 udhëtarë gjithsej, ose 69.242 më shumë se sa periudha pararendëse e vitit 2015. Krahasuar me janar-nëntorin e vitit 2015 treguesit dëshmojnë një rritje prej 10 përqind në numrin e udhëtarëve. Në dalje me tragete nga Durrësi është shënuar një rritje prej 5 përqind, duke arritur shifrën prej afro 409 mijë udhëtarësh, ndërsa në hyrje numri i përgjithshëm është 16 përqind më i lartë se sa periudha përkatëse e vitit të kaluar.

Gjatë 11 muajve të këtij viti mësohet se tragetet kanë transportuar 159.041 autovetura, si dhe 61.500 kamjonë dhe trajlerë, shifra më të larta se sa në 11 muajt e vitit 2015. Tragetet kanë kryer 948 lundrime gjithsej, ose 42 më pak se sa gjatë së njejtës periudhë të vitit 2015. Numri i udhëtarëve në hyrje (367.457 gjithsej) vazhdon të jetë më i ulët se sa ai i udhëtarëve në dalje (408.678 gjithsej) nga vendi ynë drejt porteve të Italisë. E kundërta ndodh me autoveturat, mbi 83.262 në hyrje, ndaj vetëm 75.779 të tilla në dalje.