Tragetet në janar-nëntor 2017: Afro 172 mijë autovetura me tragete

Tragetet e linjave Durrës-Bari e Durrës-Ankona-Trieste e kthim, gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti janë shfrytëzuar nga 818.440 udhëtarë me 171.828 autovetura gjithsej.

Nga të dhënat statistikore mësohet se në afro 5 udhëtarë tragetet kanë transportuar një autoveturë.

Shifra e autoveturave me tragete të kësaj periudhe është 8 përqind më e lartë se sa ajo e 11-mujorit të vitit 2016, kur tragetet transportuan 159.041 autovetura gjithsej.

Sektori i Statistikave në APD bën me dije, se në këto 11 muaj tragetet janë shfrytëzuar nga 12.787 autovetura më shumë se sa në periudhën janar-nëntor 2016.

Numri I autoveturave që kanë mbërritur me tragete në portin e Durrësit gjatë këtij 11-mujori është mbi 7 mijë njësi më I madh se sa ai që ka shfrytëzuar tragetet në nisje drejt porteve të Italisë.

89.495 autovetura kanë zbritur nga tragetet në portin e Durrësit, ndërsa 82333 të tjera janë nisur me tragetet e linjave nga Durrësi drejt Barit, Ankonës apo Triestes.

Një rritje prej 2 përqind ka edhe numri i udhëtarëve shqiptarë, në krahasim me ato të vitit 2016, ndërsa numri i të huajve që kanë shfrytëzuar tragetet në 11 muaj 2017 është 17 përqind më I lartë se sa e njejta periudhë e vitit 2016.

Tragetet kanë kryer 922 lundrime gjithsej, ose 26 lundrime më pak se sa në periudhën janar-nëntor 2016.

Gjatë këtyre 11 muajve 433.614 udhëtarë janë larguar me tragete nëpërmjet portit të Durrësit drejt Barit, Ankonës dhe Triestes, ndërsa 384.826 të tjerë kanë mbërritur në portin më të madh të vendit tonë.