Viti 2016: Automjetet me targa shqiptare transportojnë 70 përqind të mallrave me tragete

Automjetet me targa shqiptare bartin pjesën më të madhe të mallrave që transportohen me tragete. Automjetet vendase kanë transportuar gjatë vitit 2016 mbi 70 përqind, ose afro 546 mijë ton mallra, nga Durrësi drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes dhe anasjelltas. Pjesa tjetër prej 224 mijë ton është transportuar nga automjetet, kryesisht kamjonë dhe trajlerë, me targa të huaja.

Edhe gjatë vitit 2016, sasia më e madhe e mallrave me automjete vjen apo i drejtohet Barit, porti ku drejtohen më shumë edhe udhëtarët shqiptarë dhe të huaj që lëvizin nga Durrësi dhe anasjelltas.

Sipas të dhënave statistikore të APD, nga/drejt portit të Barit janë transportuar me automjete më shumë se 328 mijë ton mallra, ose 60 përqind e sasisë së përgjithshme të mallrave që lëvizin me automjete. Nga i njejti burim, mësohet se nuk janë të papërfillshme edhe volumet e mallrave që shkembehen me portet e Ankonës dhe Triestes, përkatësisht 198 mijë ton dhe 19 mijë ton mallra.

Gjatë vitit 2016 tragetet kanë transportuar me 240.473 automjete gjithsej, nga të cilat 61.962 kamjonë dhe 5.550 trajlerë. Afro 130 mijë automjete i janë drejtuar Durrësit dhe mbi 110 mijë të tjerë janë nisur me tragete nga porti më i madh i vendit drejt Barit, Ankonës dhe Triestes.