Reparti i Policisë së Mbrojtjes Nga Zjarri dhe Shpëtimit (PMNZSH) pranë Autoritetit Portual Durrës, përveç veprimtarisë kryesore brenda territorit portual ka marrë pjesë gjatë këtij viti edhe në operacionet e shpëtimit dhe mbrojtjes kundër zjarreve në hapësirën e qarkut të Durrësit.
Në zbatim të legjislacionit përkatës dhe në mbështetje të kolegëve të reparteve të Durrësit dhe Krujës, zjarrfikësit dhe mjetet e specializuara të APD kanë dhënë kontributin e tyre në më shumë se 15 operacione shpëtimi. Misioni i fundit ishte ai i javës së kaluar, kur për tre ditë radhazi punonjësit e repartit zjarrfikës të portit punuan për fikjen e zjarrit në një biznes bimësh medicinale në Maminas.
Gjatë stinës së verës zjarrfikësit portualë kanë kontribuar në fikjen e zjarreve në dy fabrika të rrezikuara pranë autostradës Durrës – Tiranë. Në tre raste të tjera mjetet zjarrfikëse të portit janë impenjuar në shuarjen e flakëve në kurorën e pyjeve të Krujës. Po ashtu ata kanë punuar për shpëtimin e bizneseve të rrezikuara në Xhafzotaj, Shkëmbin e Kavajës dhe tregun e Mallrave të konsumit, pranë ish-rajonit të policisë në Durrës. Zjarri i rënë në dy raste në banesat e lagjes 2 në Durrës është izoluar edhe falë punës së zjarrfikësve të portit.
Mjetet zjarrfikëse dhe pompat thithëse janë përdorur gjërësisht në parandalimin e përmbytjeve nga ujrat, nga të cilat rrezikohej zona turistike pranë rezervuarit të Manskurisë, 12 km në jug të qytetit të Durrësit.
Gjatë këtij viti rastet e rrezikut të zjarrit në hapësirën portuale kanë qenë të pakta, si në zonën e Peshkimit apo në dy kabina elektrike. Reparti zjarrfikës pranë APD ka një personel prej 34 vetë. Ai ka në dispozicion tre automjete zjarrfikëse, si dhe dy pompa thithëse. Reparti zjarfikës në portin e Durrësit funksionon si një nga repartet e ngritura pranë objekteve të rëndësisë së veçantë në shkallë vendi.