75 vjet më parë, mëngjesin e 14 nëntorit 1944 kur forcat partizane hynë në Durrës, qyteti ishte i boshatisur. Në fund të Luftës së Dytë Botërore porti detar dhe bregdeti i Durrësit ishin minuar plotësisht. Që prej një viti me urdhër të komandës hitleriane qindra familje ishin detyruar të çvendoseshin pranë të afërmve të tyre kryesisht në Tiranë, Kavajë dhe Shijak. Ndërkaq, brenda ditës më 20 nëntor të vitit 1943, qindra qytetarë, kryesisht të rinj ishin dërguar nga Shkozeti drejt kampeve famëkeqetë përqëndrimit.
Qyteti antik ishte mbyllur krejtësisht dhe rruga e vetme hyrëse te ura e Dajlanit kontrollohej rreptësisht nga pushtuesit. Për një vit radhazi forcat naziste kishin “mbjellë” në bregdet dhe në zonën portuale qindra tonelata eksplozivë. Porti detar dhe bregdeti i Durrësit bënin pjesë në planet e koalicionit antifashist dhe hitlerianët përgatiteshin për të përballuar një mësymje të mundshme detare. Teatri i operacionit të zbarkimit “Overlord” që u realizua më vonë në Normandi mund të ishte edhe në Durrës.
Në librin e tij “50 vjet mbi mina” koloneli Besnik Alibali shkruan se brenda një viti nga plazhi i Currilave deri në jug të Kavajës ushtarakët naziste vendosën mbi 100 mijë mina kundërtanke dhe 200 mijë të tjera kundër këmbësorisë. Sipas studiuesit Besnik Alibali dendësia e minimit arrinte shkallën 5, pra pesë objekte vdekjeprurëse në çdo 1 metër linear front.
“Në zonën e minuar çdo qytetar duhet “të mbante mbi shpatulla” 7-10 copë mina, ndërsa në det u vendosën mijëra mina të tjera. Një provë me shpërthimet hodhi në erë një pjesë të portit detar” – shkruan në librin e tij z. Alibali.
Operacioni disamujor i Çminimit
Operacioni 1-vjeçar hitlerian morri emrin e koduar “Shëtitje në port”, një emërtim mjaft paqësor në raport me vdekjen që mbolli në çdo cep. Kur mbërritën në qytet partizanët kapën dy robër nazistë, të cilët nuk kishin mundur të tërhiqeshin me të tjerët – thotë koloneli Alibali, i cili ka punuar gjatë në drejtimin e batalioneve të xhenjos. Dy ushtarakët robër që i njihnin detajet e minimit të qytetit u bënë pjesë e proçesit të gjatë, të lodhshëm dhe shpesh herë tragjik të çminimit të Durrësit – dëshmon z. Alibali.
Më 5 prill të vitit 1945 nisi zyrtarisht operacioni i madh “kirurgjikal” për ti shkëputur tokës rrezikun e vdekjes. Brenda katër muajsh nga plazhi i Durrësit u hoqën 17 mijë mina kundër tanke dhe 2.500 mina këmbësorie. Xhenjerët Arif Osmani, Panajot Haxhimihali, Dilaver Hamzai e Zenel Skendo janë disa nga dëshmorët e parë që ranë duke shkulur rrënjët e vdekjes nga toka – shkruan koloneli i ndjerë, Besnik Alibali, i cili drejtoi pë vite me radhë Komitetin e Miqve Antiminë në vendin tonë, pjesë e organizatës ndërkombëtare me të njejtin emër që fitoi në vitin 1997 çmimin Nobel për Paqen.