2015: Projektet e infrastrukturës portuale, afro 157 milion lek investime

Autoriteti Portual i Durrësit ka parashikuar një investim të përgjithshëm prej afro 157 milion lek, që do të realizohen në projekte të ndryshme të infrastrukturës civile portuale. Në zbatim të plan – biznesit të vitit 2015, i cili u miratua kohët e fundit nga Këshilli Drejtues i APD, në javët e ardhshme do të nisë puna për realizimin e disa projekteve.

Reabilitimi i segmentit rrugor “Hyrja Nr.2 – Terminali i Trageteve” është një nga investimet e vitit në vazhdim, që synon riveshjen me asfalt të kësaj rruge të amortizuar. Në investim është parashikuar edhe pajisja me sinjalistikën e duhur horizontale dhe vertikale. Sipërfaqja totale e këtij segmenti rrugor është 7200 m2.

Plotësimi i Rrjetit të ujësjellësit është një projekt tjetër që do të financohet gjatë vitit 2015. Ky projekt parashikon ndërtimin e segmentëve të rinj të ujësjellësit në Terminalin e Kontejnerëve dhe në atë Perëndimor. Brenda investimit, rrjeti do të plotësohet me matës konsumi me qëllim menaxhimin dhe kontrollin e ujit të pijshëm në territorin e portit të Durrësit.

Duke marrë në konsideratë rëndësinë që ka rrjeti kryesor elektrik për operacionet që zhvillohen në portin e Durrësit gjatë këtij viti është parashikuar ndërtimi i një kanali beton-arme prej afro 1000 metra në afërsi të rrethimit verior të portit. Në kushtet e zhvillimeve infrastrukturore në rritje ky investim shkurton ndjeshëm shpenzimet për mirëmbajtjen dhe sigurinë e sistemit elektrik në këtë zonë të portit. Ndërkaq në kalatat 1 – 4 të Terminalit Perëndimor nisur nga nevojat emergjente për rritjen e sigurisë në ankorimin e anijeve do të montohen rreth 30 copë kaluna. Gjithashtu do të kryhen një sërë rikonstruksionesh të godinave, ambjenteve dhe shesheve në portin më të madh të vendit.

Në zbatim të Plan-Biznesit të këtij viti janë parashikuar investime të tjera edhe në riparime vinxhash, në sistemin energjitik, në pajisjet e logjistikës së FSPD, etj.

Vlera e përgjithshme e investimeve të këtij viti në portin e Durrësit arrin në 370 milion lek.