Në portin e Durrësit ka nisur puna për instalimin e 27 kalunave të rinj, që shërbejnë për ankorimin e anijeve në kalatat 1-4. Punimet parashikohet të zgjasin 90 ditë dhe vendosja e tyre do të përfundojë në fillim të muajit prill të këtij viti.
Vlera e investimit të planifikuar nga APD pr objektin “Zbatim-Furnizim Vendosje e kalunave në Kalatat 1, 2, 3 dhe 4” ishte afro 15 milion lekë, ndërsa pas konkurimit ajo u ul në shifrën 12.455.871 lekë.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Teknike dhe Zhvillimit punimet po kryhen në kalatat 1 (178.5 metra linear), 2 (292.2 ml), 3 (30 ml) dhe 4 (173.8 ml), pra në një gjatësi totale prej rreth 674.5 metra linear.
Aktualisht porti disponon afro 84 copë kaluna gjithsej dhe në zbatim të këtij projekti do të rinovohen rreth 32 përqind e tyre.
Firma fituese e tenderit dhe zbatuese e projektit është “Al-Asfalt”.
Punimet për realizimin e këtij projekti nuk pengojnë veprimtarinë e përditshme për ankorimin e anijeve në kalatat ku do të kryhen punimet. Sipas të dhënave të Drejtorisë Teknike dhe Zhvillimit, projekti parashikon zëvëndësimin në çdo dy kaluna, duke lënë hapësirë dhe mundësi që të përdoren kalunat ekzistuese.