APD mikpret përfaqësuesit e projektit të mbrojtjes mjedisore detare HAZADR

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me Autoritetin Portual Durrës, Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD), Prefektin e Qarkut Durrës, Forcat Detare si dhe me Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Mbrojtjes kanë filluar sot në mjediset e APD, Takimin e 5-të të Komitetit drejtues për projektin HAZADR. Projekti “Forcimi i kapaciteteve të përbashkëta për të luftuar ndotjen nga nafta, substancat toksike dhe të rrezikshme në detin Adriatik” (HAZADR) bashkëfinancohet nga Programi IPA Adriatic Cross Border Cooperation 2007 – 2013 dhe në të marrin pjesë 14 vende të rajonit.

Në pjesën e parë të Takimit pjesmarrësit nga Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi i përshëndeti Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Gazmend Shalsi. “Shteti shqiptar ka ratifikuar një sërë konventash ndërkombëtare, si dhe ka publikuar një sërë ligjesh në përmbushje të detyrimeve të parashikuara në kërkesat e direktivave europiane për mbrojtjen e mjedisit në përgjithsi dhe mjedisit detar në veçanti-nënvizoi z. Shalsi në fjalën e tij.

Ai shtoi se: APD në politikat e tij mjedisore ka parashikuar si një sfidë aktuale implementimin e Sistemit të Menaxhimit Mjedisor SMM, me synim çertifikimin me ISO 14001.

Më pas zv. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Ylli Manjani, tha se qëllimi I planifikimit të emergjencave dhe I ushtrimit që do të zhvillohet sot është promovimi i mbrojtjes së mjedisit detar. Ushtrimi ka si synim të verifikojë gjëndjen e kapaciteteve reaguese të sistemit të institucioneve që përfshihen në menaxhimin e incidenteve të ndotjeve detare. Gjithçka sipas Planit Kombëtar të Reagimit ndaj Ndotjeve Detare-tha Manjani.

Ushtrimi që po zhvillohet sot simulon një situatë kritike që ka nisur më 11 maj 2015 pranë portit të Brindizit. Sipas të dhënave një anije tip tanker nafte, gjatë lundrimit ka pësuar një aksident, duke shkaktuar një ndotje të madhe në det. Strukturat reaguese në vendin tonë përgatisin Sistemin e Mbështetjes së Parashikimit.

Pas pjesës teorike në Qendrën e Trajnimit të APD të pranishmit ndoqën pjesën praktike të ushtrimit detar nga Shtëpia ë Pushimit të Ministrisë së Mbrojtes, 7 km në jug të Durrësit.