Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar (dega Durrës) dhe Bankën Lëvizëse Kombëtare të Gjakut kanë organizuar sot ditën e parë të fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut.
375 punonjës të APD aktualisht janë anëtarë të Kryqit të Kuq Shqiptar. Veprimtaria ku marrin pjesë të gjithë punonjësit portualë po zhvillohet në mjediset e Shërbimit Mjeksor pranë APD Durrës dhe do të vazhdojë edhe nesër, më datë 22 tetor 2015.
“Kush dhuron gjak, shpëton një jetë” është moto e kësaj nisme dhe e gjithë sasia e dhuruar do të shfrytëzohet në ndihmë të fëmijëve talasemikë, si dhe për pacientët e dëmtuar në aksidente rrugore.
Dhurimi i gjakut bëhet në kushte optimale higjenike, në prani të stafit mjeksor të kualifikuar.
Fillimisht çdo dhurues i nënshtrohet matjes së tensionit arterial, temperaturës dhe nivelit të hemoglobinës për të përcaktuar gjëndjen shëndetsore para dhurimit.
Stafi mjeksor i APD është vazhdimisht i pranishëm me një personel të përbërë nga dy mjekë, dy ndihmësmjekë dhe dy shoferë, të gatshëm të përballojnë ndihmën e parë dhe rastet e emergjencave mjeksore.
Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Ministria e Shëndetësisë kanë lidhur një marrëveshje për fushatën përkatëse në institucione të ndryshme të qytetit të Durrësit. Pas dhurimit vullnetar të gjakut “Banka e Gjakut”, pajis çdo dhurues me Kartelën e Rezultateve të analizave të gjakut që përfshijnë disa të dhëna (grupin e gjakut dhe rezusin, kolesterolin, proteinat totale, Hepatitin B dhe C, Hiv1, Hiv2 etj. )