Autoriteti Portual Durrës, duke marrë shkas nga disa deklarime për shtyp të përfaqësuesit të
Konçesionarit EMS, z. Manfred Muller, aktualisht konçesionar në kalatën Lindore të Portit të
Durrësit, sqaron sa më poshtë:
Kompania EMS, ka fituar kontratën e Konçesionit për operimin në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit në datë 06.05.2013 dhe ka filluar aktivitetin e saj më dt 15 korrik 2013. Sipas kësaj kontrate, kjo kompani mund të ushtrojë aktivitetin e operimit në Kalatën Lindore, pra të menaxhojë të gjithë operacionet që zhvillohen në këtë kalatë.
Ndërkohë që për aktivitetet stivadore që ajo është përpjekur të ushtrojë në mënyrë të paligjshme, duke krijuar konflikte edhe fizike me kompanitë e liçensuara, sipas nenit 3.1.2 të kësaj kontrate konçesionare, kërkohet liçensim i posaçëm pasi EMS të plotësojë dokumentacionin e kërkuar.
Më dt 18 qershor EMS ka rënë dakort me APD për paraqitjen e dokumentave të nevojshme për marrjen e liçencës së stivadorit, por të nesermen e tërheq këtë premtim duke propozuar një variant tjetër në kundërshtim me marrëveshjen dhe me kontratën mes palëve.
Ky pretendim për mosliçensim nga ana e EMS, është një çështje jo vetëm proçeduriale, por shoqërohet edhe me detyrimet për pagesa nga ana e EMS për tarifat e ushtrimit të një aktiviteti të tillë, siç veprojnë edhe 3 operatorë të tjerë stivadore në Port.
Po kështu, përfaqësuesit e EMS duhet të kenë parasysh se edhe në rast liçensimi, ata nuk mund të vendosin monopol në shërbimet stivadore, sepse Porti i Durrësit është një port i hapur, dhe çdo klient ka të drejtë të përzgjedhë vetë kompaninë stivadore, sipas marrëveshjeve me ta. Kjo është e domosdoshme për ta mbajtur këtë shërbim konkurues dhe për të mos vendosur çmime monopoliste.
Përsa i përket pretendimeve për kërkesa ryshfeti, e inkurajojmë Kompaninë EMS të denoncojë në prokurori çdo person i cili u ka bërë një kërkesë të tillë. Por, gjithashtu, i sigurojmë ata se pretendime dhe tymnaja të tilla nuk mund ti ndihmojnë për të mënjanuar detyrime ligjore ndaj portit të Durrësit, siç është liçensimi i aktiviteteve stivadore, mbushja e paligjshme e konteniereve apo mospagesat e detyrimeve të tjera konçesionare ndaj Autoritetit Portual.
Ndërsa, përsa i përket përpjekjeve për ta paraqitur këtë rast, i cili është një marrëdhënie specifike kontraktuale midis kompanisë EMS dhe Autoritetit Portual Durrës, si një tregues i dëmtimit të klimës së biznesit, i sigurojmë pretenduesit se Porti i Durrësit është model i bashkëpunimit me investitorët e huaj, por në asnje rast nuk do të lejojë që ky aset strategjik i Shqipërisë, të keqpërdoret dhe të abuzohet nga koncesionarët, kushdo qofshin ato.