Forcat e Sigurisë Portuale Durrës (FSPD) ditët e fundit kanë kryer ushtrimet stërvitore të radhës sipas planit vjetor, të cilat përkojnë me situatën e rritjes së masave të sigurisë që po ndërmerren në portin më të madh të vendit.
Gjatë zhvillimit të ushtrimit me temë “Mjet i dyshimtë që lëviz në afërsi ose kundrejt faciliteteve dhe anijeve” është testuar bllokimi i në një kohë sa më të shkurtër i të pesë hyrjeve të automjeteve dhe këmbësorëve në portin e Durrësit.
Duke vlerësuar detyrimet që rrjedhin nga Kodi ISPS, nga Ligji Nr. 168/2013 “Mbi sigurinë në Anije dhe Porte”, nga Rregullorja e Forcës së Sigurisë si dhe Plani i Sigurisë së Portit Durrës, efektivat e FSPD testuan gadishmërinë e forcave dhe bashkëveprimin e strukturave përkatëse.
Nën vëzhgimin e drejtorit të Autoritetit Shtetëror të Sigurisë dhe këshilltarit të Misionit ICITAP në vendin tonë, si dhe me mbështetjen e mjeteve të APD u realizua bllokimi i hyrjeve 1, 2, 3, 4 dhe 5 në një kohë mjaft të shkurtër.
Dy javë më parë, pas ngjarjeve në Paris, në APD u zhvillua Takimi i Komitetit Këshillimor të Sigurisë në anije dhe porte për marrjen e masave përkatëse, në të cilin morrën pjesë drejtues të Institucioneve publike dhe private që operojnë në Portin e Durrësit.