Dëgjesë Publike për Ndikimin në Mjedis në implementimin e projektit “Thellimi Emergjent i Basenit dhe Kanalit Hyrës në Portin e Durrësit ”

Sot paradite në ambjentet e Autoritetit Portual Durrës u zhvillua Konsultimi me Publikun, në lidhje me Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis me qëllim implementimin e projektit: “Thellimi Emergjent i Basenit dhe Kanalit Hyres ne Portin e Durresit ”.

Takimi u organizua në përmbushje të detyrimeve të legjislacionit shqiptar, i cili është përafruar plotësisht me Direktivën 85/337/KEE të Këshillit të Europës, Datë 27 Qershor 1985 “Mbi vlerësimin e efekteve të projekteve publike dhe private mbi mjedisin”, të ndryshuar me: Direktivën 97/11 te Këshillit të Europës; Direktivën 2003/35 të Këshillit dhe Parlamentit Europian; Direktivën 2009/31 të Këshillit dhe Parlamentit Europian.

Dëgjesa u drejtua nga zv. Drejtori ekzekutiv i APD, Bujar Dhima, ndërsa morrën pjesë edhe drejtori i Administratës së Përgjithshme Detare, Gazmend Tahiri, Kapiteni i përgjithshëm i porteve, Paulin Ndreu, përfaqësues nga Bashkia e Durrësit dhe nga Agjencia Rajonale e Mjedisit.

Në prani të specialistëve portualë dhe përfaqësuesve nga shoqata dhe institucione të ndryshme, eksperti i Mjedisit, Gazmend Zeneli, trajtoi problematikat kryesore me të cilat pritet të përballen investitorët dhe zbatuesit e projektit të thellimit emergjent të basenit dhe kanalit hyrës.

Thellimi i basenit dhe kanalit hyrës të Portit të Durrësit që do të mundësonte futjen në Portin e Durrësit të anijeve të një madhësie prej 20,000 DWT apo 1,000 TEU, si dhe ankorimin e tyre në kalatat e portit.

Sipërfaqja e përgjithshme paraqitet rreth 1.5 milion m2 (~670.000 m2 sipërfaqe e basenit, ~830.000 m2 sipërfaqe e kanalit hyrës). Punimet e dragimit (thellimit) priten të realizohen në një sipërfaqe prej rreth 1.220.000 m2, dhe volumi i përgjithshëm që pritet të gërmohet sipas objektivave të projektit pritet të jetë rreth 1.335 milion m3. Projekti parashikon thellimin e Kanalit Hyrës dhe Basenit të Portit të Durrësit deri në nivelin -10.5m nga niveli minimal i regjistruar i ujit LAT (Low Astronomical Tide).

Pjesmarrësit në dëgjesën publike pyetën më pas për detaje të projektit të Thellimit emergjent të basenit dhe kanalit hyrës të portit.