Evakuimi i terminalit dhe largimi i trageteve, FSPD kryen ushtrimin e radhës

Forcat e Sigurisë Portuale Durrës (FSPD) ditët e fundit kanë kryer ushtrimet stërvitore të radhës sipas planit vjetor.

Gjatë zhvillimit të ushtrimit me temë “Menaxhimi i turmave, evakuimi i facilitetit dhe largimi i anijeve”, që u zhvillua të mërkurën paradite u testua bllokimi i portave dhe evakuimi i terminalit të udhëtarëve në një kohë sa më të shkurtër.

Nën vëzhgimin e drejtorit të Autoritetit Shtetëror të Sigurisë, si dhe me mbështetjen e mjeteve të APD u realizuan të gjitha objektivat në intervalet e parashikuara.

Duke vlerësuar detyrimet që rrjedhin nga Kodi ISPS, nga Ligji Nr. 168/2013 “Mbi sigurinë në Anije dhe Porte”, nga Rregullorja e Forcës së Sigurisë si dhe Plani i Sigurisë së Portit Durrës, efektivat e FSPD testuan gadishmërinë e forcave dhe bashkëveprimin e strukturave përkatëse. Ndërkohë janë realizuar edhe disa ushtrime të tjera të programuara më parë.

Një muaj më parë, pas ngjarjeve në Paris, në APD u zhvillua Takimi i Komitetit Këshillimor të Sigurisë në anije dhe porte për marrjen e masave përkatëse, në të cilin morrën pjesë drejtues të Institucioneve publike dhe private që operojnë në Portin e Durrësit.