Fillon shfrytëzimi i sillosëve të mëdhenj në kalatën 2 -Sillosët e grurit u spostuan vjet nga kalata 5-

Sillosët e grurit, që u spostuan para një viti në kalatën 2 kanë nisur të shfrytëzohen sot në përpunimin e anijeve nga kompanitë stivadore. Sillosët e mëdhenj mund të përdoren për materialet e derdhura në përgjithësi, duke nisur nga gruri, misri, bërsitë, etj.

Anija “NS Sprinter” që u bregëzua në kalatën 2 sot në mesditë po shkarkon mbi 3 mijë ton ure’ duke shfrytëzuar për herë të parë sillosët që u spostuan një vit më parë nga kalata 5 në kalatën 2. Deri tani, për disa muaj me radhë për përpunimin e këtyre mallrave ishin shfrytëzuar sillosë të lëvizshëm.

Rritja e numrit të kroçerave me turistë, që ankorohen në kalatën 5 ishte një nga arsyet kryesore të vendimit për spostimin e sillosëve.

Të dhëna teknike

Pesë sillosat për përpunimin e materialeve të derdhura nga anijet në mjetet e transportit tokësor, kanë një kapacitet të përgjithshëm prej 1500 ton. Katër prej tyre kanë diametër 9 metra dhe një tjetër ka diameter 10.5 m. Pesha e sillosave bosh është rreth 30 ton secila.

Ato kanë një lartësi prej 14 metra, përfshirë këmbët dhe një formë cilindrike që shërben për depozitimin e grurit. Sillosi i madh është i vendosur mbi 14 këmbë, ndërsa katër sillosat me diameter 9 m janë vendosur mbi 10 këmbë.