Ndërtimi i kalatave prej druri ishte një nga realizimet e para pas kalimit të portit të Durrësit nën varësinë e Ministrisë së Punëve Botore, më 2 prill 1946.
Pikërisht, në vitin 1946 u ngritën dy kalata me gjatësi 100 ml dhe 50 ml, mësohet nga Historiku “Porti ynë në rrjedhën e viteve”.
Mjeshtrit më të mirë të qytetit, e zhvendosën përgatitjen e pilotave të drurit nga Shkozeti në mjediset e portit.
Ndërkaq, gjatë vitit 1947 në portin e Durrësit u instaluan 4 fenerë bregdetarë, si dhe u kryen matjet e thellësive batimetrike.
Kantieri detar funksiononte përballë vendit ku ngrihet edhe sot Banka BKT, ndërsa në pjesën jugore (ku ndodhet sot Terminali i Trageteve) u ngrit kantieri për ndërtimin e kalatave dhe shesheve të shkatërruara – NN Porti.
Sipas historikut “Porti ynë në rrjedhën e viteve”, në fund të vitit 1947 numri i fuqisë punëtore arriti në 189 persona.