Raporti i export-importit të mallrave përmes portit të Durrësit në janar të vitit 2017 ka mbetur thuajse në të njejtat kuota me të njejtën periudhë të vitit paraardhës. Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, në vëllimin e përgjithshëm të mallrave të përpunuara prej afro 213 mijë ton, eksportet zënë 34.35 përqind, ndërsa pjesën tjetër importet.
Në Terminalin e Udhëtarëve ka një raport më të mirë mes eksporteve me 44.56 përqind dhe importeve me 55.44 përqind. Në këtë Terminal gjatë janarit janë përpunuar 51.374 ton mallra me kamjonë dhe trajlera.
Një raport të drejtë, thuajse 48 ndaj 52 përqind në favor të importeve, ka edhe sasia e mallrave të përpunuara gjatë janarit 2017 në Terminalin e Kontejnerëve, ku janë përpunuar 90.346 ton mallra me 7.995 kontejnerë TEU gjithsej.
Gjatë janarit të këtij viti nga anijet në Terminalin Perëndimor dhe atë Lindor janë përpunuar 71.179 ton gjithsej, por raporti i eksport – importeve është thuajse 20 – 80 përqind.