Shkëmbimi i informacionit ndërmjet të gjitha institucioneve në portin e Durrësit ishte një nga temat e Mbledhjes së Komitetit të Sigurisë, që u zhvillua sot paradite në një nga sallat e Drejtorisë Ekzekutive në portin më të madh të vendit.
Takimin që synon bashkërendimin e punës dhe bashkëpunimin e institucioneve e drejtuan z. Hysni Aruçi, përfaqësues I Autoritetit Shtetëror të Sigurisë dhe z. Zyhdi Dajti, drejtor i FSPD.
Së bashku me drejtuesit e Drejtorisë rajonale të Migracionit dhe Kufirit, Boge Budini; të Doganës së Durrësit, Artan Sulejmani, dhe Kapitenerisë së Portit të Durrësit, Taulant Allka, u diskutua mbi zbatimin me korrektësi në hyrje-daljet e portit dhe në zonat e kufizuara, si dhe mbi problematikat e hasura kohët e fundit.Të pranishmit u ndalën veçanërisht në trajtimin e temës së shkëmbimit të informacionit, veçanërisht në rastet e incidenteve të sigurisë, sipas detyrimeve që rrjedhin nga Plani I Sigurisë së Portit të Durësit.
Takimet e Komitetit të Sigurisë portuale organizohen bazuar në Ligjin Nr.168/2013,Datë 30/09/2013 mbi Sigurinë në anije dhe në porte, Urdhërin Nr.85, datë 11.06.2015, Për miratimin e rregullores ”Për forcimin e sigurisë në anije dhe në portet e hapura të Republikës së Shqipërisë” si dhe VKM Nr.209,datë 09/04/2014 për miratimin e rregollores “Për organizimin dhe funksionimin e Komitetit të Sigurisë në anije dhe Portet e hapura të Republikës së Shqipërisë”.