Në zbatim të ligjit 168/2013 “Mbi sigurinë në anije dhe në porte”, Plani i Sigurisë së Portit, si dhe Kodi Ndërkombëtar i sigurisë në anije dhe në porte (Kodi ISPS), gjatë dy muajve të fundit është zhvilluar trajnimi vjetor i punonjësve portualë.
Trajnimi me temë “Ndërgjegjësimi me Sigurinë Detare” sipas Planit të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare është realizuar nga oficeri i Sigurisë së Portit në bashkëpunim me oficeret e Sigurisë së Zonave Portuale. Gjatë leksionit dhe bashkëbisedimit janë trajtuar edhe problematikat e sigurisë në optikën e ngjarjeve të fundit me sfond terrorist në Francë dhe në Belgjikë.
Ky trajnim zhvillohet një herë në vit me përdoruesit e përhershëm të portit, si kompani e firma private dhe istitucione e ndërmarrje shtetërore. Ndërkaq, trajnimi me efektivin e Forcës së Sigurisë Portuale zhvillohet çdo tre muaj dhe shoqërohet me ushtrime praktike.
Trajnimeve të këtij viti në seanca mësimore prej 1 orë i janë nënshtruar gjithsej 580 punonjës të firmave dhe kompanive private, si Terminali Perëndimor (TMGj), Kontejnerët (DCT), Tragetet (AFTO) , Terminali Lindor (EMS), “Alba elektrik”, “Varaku”, “Mjetet Detare ASHD”, “Pastrimi Detar”, Stivadorët “Liburnet I”e “Egnatia”, Mirëmbajtja teknike, Burimet Mbështetëse, firmat “Fjona”, “Mobil Box”, Zjarrfikëset dhe Administrata e APD.
Leksionet janë zhvilluar në sallën e trajnimeve të APD, atë të FSPD, AFTO si dhe në sallën e trajnimeve të Terminalit lindor.