Në zbatim të ligjit 168/2013 “Mbi sigurinë në anije dhe në porte”, Plani i Sigurisë së Portit, si dhe Kodi Ndërkombëtar i sigurisë në anije dhe në porte (Kodi ISPS), në APD për një javë radhazi u zhvilluan trajnimet vjetore të punonjësve portualë sipas Planit të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare. Trajnimi me temë “Ndërgjegjësimi me Sigurinë Detare” është realizuar nga oficeri i Sigurisë së Portit në bashkëpunim me Oficerët e Sigurive të Zonave Portuale. Gjatë leksionit dhe bashkëbisedimit janë trajtuar edhe problematikat e sigurisë në optikën e ngjarjeve me sfond terrorist në Europë.
Ky trajnim zhvillohet një herë në vit me përdoruesit e përhershëm të portit, si kompani e firma private dhe istitucione e ndërmarrje shtetërore. Leksionet janë zhvilluar në sallën e trajnimeve të APD, të FSPD, AFTO si dhe në sallën e trajnimeve të Terminalit lindor. Trajnimeve të këtij viti në seanca mësimore prej 1 orë për çdo grup i janë nënshtruar afro 490 punonjës të firmave dhe kompanive private, si Terminali Perëndimor, Kontejnerët, Tragetet, Terminali Lindor, “Alba elektrik”, “Varaku”, “Mjetet Detare ASHD”, “Pastrimi Detar”, “Coli”, Stivadorët “Liburnet I”, “Egnatia”, ASC, Mirëmbajtja teknike, “Tetra Solution”, Burimet Mbështetëse, punonjësit nga firmat “Fjona” e “Mobil Box”, Zjarrfikëset dhe Administrata e APD.