“Ndërgjegjësimi mbi Sigurinë Detare”: Trajnohen punonjësit e APD dhe kompanive private

Në zbatim të ligjit 168/2013 “Mbi sigurinë në anije dhe në porte”, Plani i Sigurisë së Portit, si dhe Kodi Ndërkombëtar i sigurisë në anije dhe në porte (Kodi ISPS), javën e kaluar kanë nisur trajnimet vjetore të punonjësve portualë sipas Planit të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare.

Trajnimi me temë “Ndërgjegjësimi me Sigurinë Detare” është realizuar nga oficeri i Sigurisë së Portit në bashkëpunim me Oficeret e Sigurive të Zonave Portuale. Gjatë leksionit dhe bashkëbisedimit janë trajtuar edhe problematikat e sigurisë në optikën e ngjarjeve të fundit me sfond terrorist në Francë dhe në Belgjikë.

Ky trajnim zhvillohet një herë në vit me përdoruesit e përhershëm të portit, si kompani e firma private dhe istitucione e ndërmarrje shtetërore. Ndërkaq, trajnimi me efektivin e Forcës së Sigurisë Portuale zhvillohet çdo tre muaj dhe shoqërohet me ushtrime praktike. “Lufta kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë” dhe “Siguria detare” kanë qenë dy nga temat e trajtuara në trajnimet e këtij viti.

Trajnimeve të këtij viti në seanca mësimore prej 1 orë deri tani i janë nënshtruar mbi 370 punonjës të firmave dhe kompanive private, si Terminali Perëndimor, Kontejnerët, Tragetet, Terminali Lindor, “Alba elektrik”, “Varaku”, “Mjetet Detare ASHD”, “Pastrimi Detar”, Stivadorët “Liburnet I”, “Egnatia”, Mirëmbajtja teknike e Burimet Mbështetëse. Në vazhdim do të trajnohen edhe firmat “Fjona”, “Mobil Box”, Zjarrfikëset dhe Administrata e APD.

Në mësimdhënie janë përfshirë Oficerët e Sigurisë së portit dhe të Zonave Portuale. Leksionet janë zhvilluar në sallën e trajnimeve të APD, të FSPD, AFTO si dhe në sallën e trajnimeve të Terminalit lindor.