Nis rikonstruksioni i kalatave 7 & 8, vendankorimi i ardhshëm i kroçerave

Kalatat 7 dhe 8 të portit të Durrësit do të vihen shumë shpejt në dispozicion të ankorimit të anijeve turistike dhe kroçerave. Tashmë kompania kontraktuese “ Lucatelli S.r.l” ka nisur punën për rikonstruksionin e dëmeve dhe defekteve të kësaj kalate, të cilat u konstatuan më parë nga një kompani prestigjoze ndërkombëtare.

Rikonstruksioni i këtyre kalatave kryhet pas dy marrëveshjeve financiare të vitit 2007, me BERZH dhe BEI të ratifikuara në Kuvendin e Shqipërisë, të cilat duke i dhënë një rëndësi të veçantë zhvillimit strategjik të portit të Durrësit parashikonin në fazën e parë ndërtimin e Terminalit të Trageteve (2012) dhe më pas ndërhyrjen në kalatat 7-8.

Sipas vlerësimit të kompanisë së specializuar “N – Shore Diving” rikonstruksioni i defekteve dhe dëmeve garanton jetëgjatësinë e strukturës së këtyre kalatave.

Kjo mundësoi reduktimin e vlerës së investimit, në vetëm 12 % të vlerës së parashikuar në marrëveshjet financiare të vitit 2007.

Autoriteti Portual Durrës në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë sektorit të turizmit dhe rikonstruksioni i kalatave 7 & 8 do të mundësojë rritjen e numrit të kroçerave turistike në portin më të madh të vendit. Punimet për rikonstruksionin e kalatave, sipas kontratës, do të përfundojnë pas 90 ditësh