Në portin e Durrësit kanë përfunduar punimet për zbatimin e projektit për instalimin e 27 kalunave të rinj dhe ka nisur të kryhet procesi i kolaudimit të tyre. Punimet për zëvëndësimin dhe furnizimin e kalunave ka përfunduar sipas afatit të parashikuar dhe në përputhje me standartet e përcaktuara nga projektuesi. Realizimi i këtij investimi nuk ka penguar veprimtarinë e përditshme për ankorimin e anijeve në kalatat.
Kalunat janë instaluar nga firma fituese e tenderit “Al-Asfalt”, e cila ka larguar kalunat e dëmtuara dhe ka instaluar 27 kalunat e rinj në kalatat 1-4, në Terminalin e Mallrave të Përgjithshëm.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Teknike dhe Zhvillimit punimet janë kryer kalatat 1 (me gjatësi 178.5 metra linear), kalata 2 (292.2 ml), kalata 3 (30 ml) dhe kalatën 4 (173.8 ml), pra në një gjatësi totale prej rreth 674.5 metra linear. Vlera e investimit të planifikuar nga APD për objektin “Zbatim-Furnizim Vendosje e kalunave në Kalatat 1, 2, 3 dhe 4” ishte afro 15 milion lekë, ndërsa pas konkurimit ajo u ul në shifrën 12.455.871 lekë.
Aktualisht porti disponon afro 84 copë kaluna për ankorimin e anijeve dhe në përfundim të këtij investimi janë rinovuar rreth 32 përqind e tyre.