Këshilli i zgjeruar Teknik i APD, është njohur sot me raportin paraprak “Projekt-thellimi i basenit dhe kanalit hyrës në portin e Durrësit”, i përgatitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “SEED Consulting”, “Ge Sat Group” dhe “Atelier 4 Studio Arkitekture”.
Në prani të kryetarit të Këshillit Drejtues të APD, Gentian Beqiri, dhe drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të APD, ing. Gazmend Shalsi, përfaqësuesit e studiove projektuese, fituese të tenderit përkatës paraqitën opcionet për zgjidhjet optimale për thellimin e pritshëm të basenit dhe kanalit hyrës, me synim ankorimin e anijeve me 1000 kontejnerë dhe zhytje deri në 9.3 metra.
Gjatë ekspozesë u morrën në konsideratë edhe nivelet e baticës dhe zbaticës, të dhënat e survejimit batimetrik, etj. Nga Raporti i paraqitur rezulton se thellësia e kanalit do të jetë -10.5 metra dhe gjërësia e tij 115 metra.
Të pranishmit u ndalën gjatë në llogaritjen e volumeve të projektit, të cilat arrijnë shifrën e përgjithshme prej afro 1.5 milion m3, si dhe në vendin e depozitimit, që parashikohet të jetë zonën detare 7.4 km në jug-perëndim të hyrjes së portit, në një sipërfaqe prej 1.5 x 2 km.