Përgatitja e projektit për thellimin si dhe spostimi i sillosave nga kalata kalata nr 5 janë dy nga investimet e rëndësishme që do të realizohen gjatë vitit 2015 në portin e Durrësit. Autoriteti Portual i Durrësit (APD) ka parashikuar një investim të përgjithshëm prej afro 157 milion lek, që do të realizohen vetëm në projektet e infrastrukturës civile portuale.
Projekti i thellimit emergjent për mirëmbajtjen e kanalit hyres dhe basenit, si element bazë për mbajtjen e qëndrueshmërise së kapacitetit përpunues të Portit konsiderohet si një nga investimet më të rëndësishme të këtij viti. Në këtë projekt është parashikuar që thellësia e kanalit hyrës të shkojë rreth 11 metra, ndërsa në basen thellësia do të variojë në bazë te strukturës ekzistuese te kalatave.
Ndërkaq, spostimi i sillosave të grurit nga kalata 5 do të realizohet për te mundësuar ngarkim-shkarkimin e pajisjeve dhe materialeve si dhe për ankorimin optimal te kro[erave turistike. Pesë sillosët do të transferohen në afërsi të kalatave 2 dhe 3.
Rehabilitimi i segmentit rrugor “Hyrja Nr.2 – Terminali i Trageteve” me një sipërfaqe të përgjithshme prej 7200 metra katrore është një nga investimet e vitit në vazhdim, që synon riveshjen me asfalt të kësaj rruge të amortizuar, si dhe pajisjen me sinjalistikën e duhur horizontale dhe vertikale. Plotësimi i Rrjetit të ujësjellësit parashikon ndërtimin e segmentëve të rinj të ujësjellësit në Terminalin e Kontejnerëve dhe në atë Perëndimor. Brenda investimit, rrjeti do të plotësohet me matës konsumi me qëllim menaxhimin dhe kontrollin e ujit të pijshëm në territorin e portit të Durrësit. Duke marrë në konsideratë rëndësinë që ka rrjeti kryesor elektrik për operacionet që zhvillohen në portin e Durrësit gjatë këtij viti është parashikuar ndërtimi i një kanali beton-arme prej afro 1000 metra në afërsi të rrethimit verior të portit. Gjithashtu do të kryhen një sërë rikonstruksionesh të godinave, ambjenteve dhe shesheve në portin më të madh të vendit. Në zbatim të Plan-Biznesit të këtij viti janë parashikuar investime të tjera edhe në riparime vinxhash, në sistemin energjitik, në pajisjet e logjistikës së FSPD, etj.
Vlera e përgjithshme e investimeve të këtij viti në portin e Durrësit arrin në 370 milion lek.