Në përgjigje të shkrimit të botuar sot në Portalin: “Të Pa ekspozuarit”- të gazetarit Ylli Rakipi,
Drejtoria Ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës, deklaron se:
Tenderi i veglave për palestër realizohet në përmbushje të realizimit të Planit të Blerjeve të Plan Biznesit 2017 që mbyllet në javët në vazhdim.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv është i obliguar të përmbushë realizimin e këtij plani, të miratuar dhe me vendim të Këshillit Drejtues të APD-së. Proçedura ka filluar më parë, qoftë me plan biznesin, por edhe me dokumentat e tenderit, të cilat janë realizuar prej kohësh nga grupi i punës dhe në zbatim të plotë të APP-së.
Drejtori Ekzekutiv nuk bën asgjë në kundërshtim, apo në pengim të realizimit të plan biznesit të aprovuar nga Këshilli Drejtues i Autoritetit Portual Durrës. Përkundrazi, ai kryen më të mirën e mundëshme së bashku me gjithë stafin për realizimin e tij.
Blerja e këtyre veglave gjimnastikore kryhet në vazhdim të një projekti, i cili ka filluar me krijimin e kushteve të një palestre moderne dhe që do të vijë në ndihmë të Forcave të Sigurise Portuale (155 vetë në total). Ajo realizohet në kuadër të përgatitjes së përgjithshme, të cilat planifikojnë qitje me pistoletë, si dhe një sërë normash të tjera në zbatim të “Internacional Standart of Ports Security”, standarte të cilat ne prej shumë vitesh, po punojme që të zbatohen me sukses.