Në zbatim të ligjit 168/2013 “Mbi sigurinë në anije dhe në porte”, Plani i Sigurisë së Portit, si dhe Kodi Ndërkombëtar i sigurisë në anije dhe në porte (Kodi ISPS), që nga muaji prill po zhvillohen trajnimet vjetore sipas Planit të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare.
Zv. drejtori i FSPD, Dritan Prifti tha se trajnimi me temë “Ndërgjegjësimi me Sigurinë Detare” zhvillohet një herë në vit me përdoruesit e përhershëm të portit, si kompani e firma private dhe istitucione e ndërmarrje shtetërore. Ndërkaq, trajnimi me efektivin e Forcës së Sigurisë Portuale zhvillohet çdo tre muaj dhe shoqërohet me ushtrime praktike.
“Lufta kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë” dhe “Siguria detare” kanë qenë dy nga temat e trajtuara në trajnimet e këtij viti-thanë drejtuesit e FSPD. Trajnimeve të këtij viti në seanca mësimore prej 1 orë i janë nënshtruar afro 450 punonjës të firmave dhe kompanive private, si Terminali Perëndimor, Kontejnerët, Tragetet, Terminali Lindor, “Alba elektrik”, “Varaku”, “Fjona”, “Mjetet Detare ASHD”, “Pastrimi Detar”, Stivadorët “Liburnet I”, “Egnatia”, Mirëmbajtja teknike e Burimet Mbështetëse.
Trajnimi do të vijojë me me punonjësit e Administratës së APD. Në mësimdhënie janë përfshirë Oficerët e Sigurisë së portit dhe të Zonave Portuale. Leksionet janë zhvilluar në sallën e trajnimeve të APD si dhe në sallën e trajnimeve të Terminalit lindor.