Sillosët e grurit nga kalata 5 në kalatën 2 – APD, 17.5 milion lek për spostimin

Sillosët e grurit që ndodhen në kalatën 5 do të spostohen brenda dy muajsh në kalatën 2, gjithnjë brenda Terminalit perëndimor të portit. Rritja e numrit të kroçerave me turistë, që ankorohen në kalatën 5 ishte një nga arsyet kryesore të vendimit për spostimin e sillosëve.

Vlera e investimit për projektin “Ndërtimi i bazamentit të sillosave të drithit dhe spostimi i tyre në sheshin pas kalatës 2“ është 17,512,800 lekë (me tvsh), ndërsa subjekti fitues për këtë kontratë është “2T sh.p.k”

Afati i realizimit te punimeve është 2 muaj nga data e lidhjes së kontratës. Firma ka nisur punimet për hapjen e bazamenteve të pesë silloseve në sheshin pas kalatës 2.

Plani i organizimit te punimeve është hartuar në bashkëpunim dhe marrëveshje me APD, si dhe në përputhje me veprimtarinë operacionale të Terminalit perëndimor.

Sillosat për përpunimin e grurit nga anijet në mjetet e transportit tokësor aktualisht janë vendosur paralel me kalatën 5 dhe kanë një kapacitet të përgjithshëm prej 1600 ton. Katër prej tyre kanë diametër 9 metra dhe një tjetër ka diameter 10.5 m. Pesha e sillosave bosh është rreth 30 ton secila.

Ato kanë një lartësi prej 14 metra, përfshirë këmbët dhe një formë cilindrike që shërben për depozitimin e grurit. Sillosi i madh është i vendosur mbi 14 këmbë, ndërsa katër sillosat me diameter 9 m janë vendosur mbi 10 këmbë.