Thellimi emergjent i basenit dhe kalata 9/d, Këshilli Teknik i hap rrugën realizimit të projekteve

Thellimi emergjent i basenit dhe kanalit hyrës si dhe e ardhmja e kalatës 9/d në pjesën veri-lindore të portit të Durrësit janë dy projektet që po hyjnë në rrugën e zgjidhjes.

Këshilli Teknik (KT) i Autoritetit Portual miratoi sot propozimin për përshpejtimin e procedurës së thellimit të basenit dhe kanalit hyrës të portit.

Dy studimet e kryera deri tani nga BERZH dhe HPC për këtë qëllim kërkojnë një financim përtej planifikimeve të APD. Ndërkaq, nevojat e afërta të portit synojnë një zgjidhje të ndërmjetme, e cila mundëson edhe realizimin e pritshmërive për transportin dhe përpunimin e tubacioneve dhe materialeve të projektit të gazsjellësit TAP në vendin tonë.

Këshilli teknik diskutoi edhe detajet e këtij projekti që me një financim prej rreth 4 milion euro, parashikon evadimin e 850.000 metër kub inerteve gjatë thellimit dhe që mundëson hyrjen në port të anijeve me mallra deri në 30 mijë ton. Për realizimin e projektit të thellimit janë parashikuar 6 milion lek dhe së shpejti do të publikohen dokumentat e tenderit.

Në të njejtën mbledhje u miratua përfundimi i fazës së parë të projektit për ndërtimin e kalatës 9/d.

Sipas projektit të Sellhornit, në këtë kalatë është parashikuar ndërtimi i një pontili me gjatësi 250 metra dhe gjërësi 30 metra, i cili do të ketë një përdorim shumëqëllimësh, edhe për mallrat e përgjithshme. Kontraktori Sellhorn do të vijojë me fazën e projekt-zbatimit të projektit.