Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti tragetet e linjave kanë transportuar 16 përqind më shumë udhëtarë dhe 2 përqind më shumë mallra se në 4-mujorin e parë të vitit 2015.
Nga të dhënat statistikore mësohet se të gjithë treguesit e transportit me tragete janë më të lartë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar. Tragetet e linjave Durrës – Bari, Durrës – Ankona dhe Durrës –Trieste e kthim kanë transportuar gjithsej 174.131 udhëtarë, ose 23.566 udhëtarë më shumë se në 4 muajt e parë të vitit të kaluar. Numri i udhëtarëve në hyrje dhe në dalje nga Durrësi është rritur me përkatësisht 22 dhe 11 përqind, dhe rritje prej 23 dhe 30 përqind ka patur edhe transporti i autoveturave.
Në katër muajt e parë të këtij viti tragetet kanë kryer 325 lundrime, ose 28 më shumë se sa në të njejtën periudhë të vitit të kaluar.
Numri i udhëtarëve të huaj që preferojnë tragetet në katër muaj ka arritur në 36.575, ose 22 përqind më shumë se në vitin e kaluar, ndërsa numri i përgjithshëm i udhëtarëve shqiptarë ka arritur në 122.731, ose 13 përqind më shumë se në 4-mujorin e parë të vitit 2015.
Tragetet kanë transportuar 32.804 autovetura, me një rritje prej 6.813 njësi. Ndërkaq, 247.861 ton mallra janë trasportuar nga tragetet me 21671 kamjonë dhe trajlera.