Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti tragetet e linjave kanë transportuar më shumë udhëtarë, më shumë mallra dhe më shumë automjete se sa në 6-mujorin e parë të vitit 2015. Tragetet janë shfrytëzuar nga 268.715 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj gjithsej, një shifër 22 përqind më e lartë se sa 6-mujori i parë i vitit të kaluar – bën me dije sektori i statistikave të APD.
Tragetet kanë transportuar gjithashtu 383.176 ton mallra, ose rreth 10 mijë ton më shumë se sa e njejta periudhë e vitit paraardhës.
Në 6 muajt e parë të këtij viti tragetet kanë kryer 490 lundrime gjithsej në linjat Durrës – Bari, Durrës – Ankona, Durrës – Trieste dhe kthim, ose 50 lundrime më shumë se në periudhën janar – qershor 2015.
Sipas të njejtave burime, 146.754 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Italisë, duke shënuar një rritje prej 17 përqind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraardhës.
Numri i udhëtarëve në hyrje ka pësuar një rritje të dukshme, duke arritur në 121.691 vetë, ose 28 përqind më shumë se në 6 muajt e parë të vitit 2015.
Nga statistikat mësohet se shifrat e udhëtarëve vendas që shfrytëzojnë tragetet kanë shënuar një rritje prej 19 përqind, ndërsa rritja e shifrave të udhëtarëve të huaj arrin në 32 përqind.
Rritje prej 32 përqind është shënuar edhe në transportin e autoveturave, numri i të cilave në 6 muaj ka arritur në afro 50 mijë. Gjatë këtij 6-mujori tragetet kanë transportuar edhe mbi 33 mijë kamjonë dhe trajlerë.