Tragetet në 6 muaj, më shumë mallra dhe më pak udhëtarë

Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti tragetet e linjave kanë transportuar më shumë mallra dhe më pak udhëtarë se sa në të njejtën periudhë të vitit 2014. Tragetet janë shfrytëzuar nga 220.738 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër 4 përqind më e ulët se sa 6-mujori i parë i vitit të kaluar – bën me dije sektori i statistikave të APD.

Tragetet kanë transportuar afro 373 mijë ton mallra, nga të cilat 142 mijë ton mallra për eksport. Megjithëse kanë kryer 25 lundrime më pak se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar, shifrat e transportit të mallrave në 6 muajt e parë të vitit 2015 janë 3 përqind më të larta se sa ato të periudhës janar – qershor 2014.

Sipas të njejtave burime, 125.600 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Brindizit, Triestes dhe Ankonës (Itali), duke shënuar një rritje prej 3 përqind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve në hyrje ka qenë shumë më i vogël se në dalje, vetëm 95.138 vetë, duke regjistruar një rënie prej 12 përqind.

Statistikat bëjnë me dije se shifrat e udhëtarëve vendas që shfrytëzojnë tragetet kanë shënuar një rritje të vogël prej 1 përqind, ndërsa është regjistruar një rënie prej 18 përqind e udhëtarëve të huaj që zgjedhin këtë lloj shërbimi. Rritje prej 5 përqind ka patur edhe në transportin e kamjonëve me tragete, ndërkohë që vihet re një rënie prej 8 përqind në numrin e përgjithshëm të autoveturave. Gjatë këtij 6-mujori tragetet kanë transportuar 37.267 autovetura dhe mbi 32 mijë kamjonë dhe trajlerë.