Certifikimi dhe kualifikimi profesional në përputhshmëri me specifikat e standardeve ISO të lidhura me Mjedisin dhe Shëndetin dhe Sigurinë në Punë mbeten një ndër objektivat prioritare të Autoritetit Portual Durrës, në kuadër edhe të projekteve zhvillimore të cilat po zbatohen në kompleksin portual Durrës- Porto Romano.
Në kuadër të moduleve të trajnimit për kualifikimin ndërkombëtar të zhvilluara nga Njësia e Cilësisë dhe Standardeve të APD-së, po zhvillohet në Sallën e Konferencave “Hysni Aruçi”, trajnimi dy ditor për “Përfaqësues Sistemi IMSR”, me mbështetjen dhe ekspertizën e konsulentëve të TMC, pjesë integrale e programit për certifikimin mbi standardet ISO.
Trajnimi është pjesë e gjashtë moduleve të lidhura me implementimin dhe kërkesat e ISO 9001; ISO 14001 dhe ISO 45001, mbi Sistemin e Menaxhimit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë dhe Sigurinë Mjedisore, të konceptuara për të mbështetur stafin e APD-së, në funksion të standardizimit të detyrave funksionale në përputhje me kërkesat ndërkombëtare të sigurisë.
Kurrikula është konceptuar në dy module të cilat do fokusohen në trajtimin e kërkesave të Legjislacionit shqiptar mbi Shëndetin dhe Sigurinë në Punë dhe Mjedisin sipas specifikave relevante të pikave fokale të referuara nga divizionet, drejtoritë dhe njësitë e APD-së, duke përmbushur nevojat për kualifikimin dhe standardizimin e burimeve njerëzore si dhe rritjen e nivelit të ekspertizës profesionale në funksion të projekteve madhore të infrastrukturës portuale të cilave po i nënshtrohet Autoriteti Portual Durrës.