Statistika/ Janar 2024, rriten me 45% volumet e përpunimit të mallrave në kompleksin portual Durrës- Porto Romano/ 20 mars 2024

Gjatë muajit të parë të vitit 2024, volumet totale të përpunimit të mallrave në kompleksin portual Durrës-Porto Romano kanë tejkaluar 585 mijë ton.

Referuar të dhënave statistikore të APD-së, 471,194 ton mallra kanë hyrë në rrugë detare në vendin tonë nëpërmjet portit të Durrësit dhe portit të Porto-Romanos ndërkohë që 113,924 ton mallra të ndryshme janë transportuar drejt porteve të huaja nga i njejti kompleks portual.

Sipas të dhënave analitike, në raport krahasimor me të njejtën periudhë të vitit të kaluar, volumet e përpunimit të mallrave kanë njohur një rritje të konsiderueshme në masën 45%, ose 183 mijë ton më shumë mallra të përpunuara krahasuar me janarin 2023.

Volumet e përpunimit të mallrave vijojnë të ruajnë një trend të përbashkët rritës në të dy portet e Durrësit duke konfirmuar edhe njëherë vizionin e qeverisë shqiptarë për një autoritet me dy porte i cili do të transformojë jo vetëm modelin e logjistikës portuale në vend por do të rrisë edhe gravitetin e kompleksit portual Durrës-Porto Romano në ekonominë vendase dhe atë rajonale.