Studentët e vitit të tretë, të Fakultetit Ekonomik, pranë Universitetit Epoka, kanë realizuar sot, një vizitë njohëse në hapësirat e Portit të Durrësit, në kuadër të projekteve studimore në fushën e “Ekonomisë Ndërkombëtare”.
Gjatë kësaj vizite studentët janë mirëpritur nga stafi i APD-së, ku dhe janë shoqëruar me prezantimin informues nga Drejtori i Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare, z.Endrit Pollo, i cili i njohu me profin, veprimtarinë dhe vizionin e kompanisë duke ju përgjigjur njëkohësisht edhe çdo aspekti të interesit të studentëve.
Shkëmbimet tregtare ndërkombëtare, intermodaliteti, projektet e reja zhvillimore të infrastrukturës portuale, portet e thata në Prishtinë dhe Strugë ishin fokusi i interesit të vizitës.
Pas prezantimit informues, studentët patën rastin të zhvillojnë gjithashtu edhe një tur njohës në hapësirat operacionale të Terminalit Perëndimor, ku ndoqën nga afër proceset e përpunimit të mallrave gjenerale.
Realizimi i këtyre vizitave studimore nënvizon rëndësinë e avancimit të njohurive të studentëve në profile të rëndësisë së veçantë siç është sektori detar dhe impakti që ky sektor ka në ekonominë kombëtare dhe rajonale.