Lehtësimi i Transportit Ndërkombëtar Detar, mbahet Seminari Kombëtar në Portin e Durrësit/ 22 dhjetor 2023

Autoriteti Portual Durrës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë organizuan në mjediset e Sallës së Konferencave “Hysni Alushi”, Seminarin Kombëtar mbi Lehtësimin e Trafikut Ndërkombëtar Detar.

Një iniciativë e përbashkët me Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO) dhe mbështetjen e Sekretariatit Rajonal të Transportit, e cila bëri bashkë për tre ditë radhazi ekspertë dhepërfaqësues nga të gjitha portet e vendit si dhe operatorë të ndryshëm të cilët operojnë në industrinë detare.

Nën drejtimin e dy prej konsuletëve të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), z. Nexhat Kapidani dhe Z.Alberto Villa, ky seminar solli në vëmendje një nga çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet transporti detar botëror, atë të sistemeve të unifikuara (Dritarja Unike- Maritime Single Window) për shkëmbimin e informacionit në kohë në anije dhe porte.

Në fokus ishte jo vetëm njohja me benefitet që ka integrimi i Dritares Unike (MSW) në strukturat portuale shqiptare, por gjithashtu edhe identifikimi dhe analizimi i instrumenteve të nevojshëm si dhe modifikimeve të cilat janë imperative për implementimin e sistemit të unifikuar të shkëmbimit të të dhënave detare.

Dritarja Unike (MSW) është një ndër kriteret parësore të Aneksit të Konventës për Krijimin e Lehtësive në Transportin Ndërkombëtar Detar (FAL), në të cilën vendi ynë aderon prej prillit të vitit 2006. Nga janari i vitit 2024 aplikimi i këtij sistemitë unifikuar do të jetë obligator për shumë prej vendeve aderuese të Konventës.

Porti i Durrësit është një portë e rëndësishme e transportit ndërkombëtar përgjatë Korridorit VIII, si i tillë dixhitalizimi, automatizimi i operacioneve dhe zhvillimet teknologjike përbëjnë një shtysë të mëtejshme jo vetëm për ekonominë e vendit, por edhe për efektivitetin e zinxhirëve të përgjithshëm multimodal të transportit dhe logjistikës në trafikun detar rajonal dhe evropian.

Në fjalën përmbyllëse të këtij seminari, kreu i Autoritetit Portual Durrës, z. Pirro Vengu theksoi se:

“Qeveria shqiptare ka strategji dhe projekte të qarta që mund të sjellin përfitime jo vetëm për Europën Adriatike por të gjithë BE-në si një bashkim gjeo-ekonomik. Infrastruktura dhe ndërlidhjet dixhitale janë parësore për agjendën detare shqiptaresi dhe për respektimin e kuadrit rregullator të BE-së në Shqipëri.

Nën dritën e këtyre projekteve ambicioze për modernizimin dhe zgjerimin e kompleksit portual Durrës-Porto-Romano, miratimi i dispozitave të Konventës FAL dhe aplikimi i Dritares Unike Detare (MSW) do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të standardeve të të dhënave, lehtësimit dhe optimizimit të operacioneve në kohë të anijeve si dhe përshpejtimin e dixhitalizimit në qendrën e re logjistike në Porto-Romano.

Udhëzimet e ofruara në këtë seminar lidhur me krijimin e instrumenteve të nevojshme në portet tona për zhvillimin dhe modifikimin e ambienteve për ngritjen e Dritares Unike Detare (MSW) do të sjellin një progres të rëndësishëm në sektorin detar duke lehtësuar proceset operacionale në portet shqiptare, çka do të ketë një rol vendimtar në uljen e barrës administrative, rritjen e efikasitetit të tregtisë detare, përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe integrimin e zinxhirëve logjistik veçanërisht në strukturën e re të Portit të Durrësit, i cili do të ketë jo vetëm dimension kombëtar por edhe rajonal.”

Në mbyllje të këtij aktiviteti u krye edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e këtij seminari.